Shpërndaje
Woman with breast cancer awareness ribbon

Kanceri i gjirit është një term i përgjithshëm sepse ekzistojnë shumë lloj kanceresh gjiri. Disa janë më agresivë se disa të tjerë. Tumoret mund të jenë të vegjël ose të mëdhenj. Dhe kurat mund të ndryshojnë. Në materialin në vazhdim do të flasim për alternativat e ndryshme në luftën kundër kancerit të gjirit.

Zuli Palacio e kalon një pjesë të kohës në një kurs për prodhimin e pllakave me shoqen e saj. Që prej diagnistikimit me kancer të fazës së tretë, Palacio i është nënshtruar kimoterapisë si dhe operacionit dhe tani nuk ka më kancer. Ky është përfundimi që mjekët e saj parashikuan prillin e kaluar, pasi analizat treguan se ajo kishte kancer në gji. Dr. Negar Golesorkhi është si specialiste e kancerit të gjirit edhe kirurge. “Askush nuk dëshiron të diagnostikohet me kancer gjiri, por kjo është forma më e mirë e kancerit të gjirit për sa i përket kurimit të tij”.
Alternativat për kurimin e kancerit të gjirit mund të përfshijnë çdo kombinim të kimoterapisë dhe operacionit, si në rastin e Zuli Palacios, rrezatimin ose në disa raste nuk bëhet asgjë. Dr. Anne Favret është mjeke onkologe, që mbikqyr kurimin e Palacios. Ajo ka shumë shpresa rreth së ardhmes së kurave ndaj kancerit të gjirit edhe në raste të tumoreve agresive. “Mendoj se ne do të jemi në gjendje të gjejmë më shumë ilaçe, që përmirësojnë shpëtimin e jetës dhe në të njëjtën kohë minimizojnë efektet anësore”.
Kanceri te Palacio nuk u përhap në pjesë të tjera të trupit, por Dr. Favret thotë se edhe pacientet me kancer gjiri më të avancuar mund të bëjnë një jetë normale. Ajo punon në qendrën mjeksore, Specialistët e Virxhinias për Kancerin. “Punoj këtu që prej 13 vjetësh dhe kam pasur paciente me kancere të ndryshme, që tani bëjnë një jetë të mirë, rrisin fëmijët, shkojnë në punë dhe bëjnë jetë normale për më shumë se 10 vjet. Ne kurojmë mbi 70 për qind të grave të diagnostikuara me kancer gjiri”.
Edhe operacioni i kancerit ka evoluar, thotë Dr. Golesorkhi. “Ne nuk heqim gjithnjë medoemos gjirin dhe ne kurrë nuk heqim muskujt. Ne kemi avancuar nga operacionet që përfundonin në deformimin e pamjes së pacientes në operacione, në shumicën e rasteve, ku as që mund  ta kuptosh që pacientja ka pasur kancer në gji dhe i është nënshkruar operacionit”. Ndërsa Zuli Palacio largohet nga klasa për të ngrënë drekë me një shoqe, ajo duket krejt e kënaqur dhe pa asnjë shqetësim. Shoqata Amerikane e Kancerit njofton se ata njerëz që u diktohet kanceri në fazat e hershme kanë një shkallë shpëtimi 80 për qind deri në më shumë se 90 për qind.
Por edhe gratë me kancer më të avancuar si Zuli Palacio kanë më shumë shanse për të jetuar gjatë. Dhe kjo është arsyeja që femrat duhet të shikojnë mjekun sa më parë nëse vënë re ndonjë ndryshim në gjoks sepse kjo me të vërtetë ndryshon shkallën e shpëtimit si nata me ditën.