Shpërndaje

Shkrim i huazuar nga dietologia klinike, Blerina Bobaj

Brokoli u zhvillua në Itali dhe bën pjesë në grupin e zarzavateve, në familjen e lulelakrës, lakrës, preshit, lakrës së Brukselit etj. Konsiderohet nga zarzavatet më të ushqyeshme dhe bën pjesë në “Top 10” të ushqimeve më të shëndetshme dhe më të pasura në vitamina, minerale dhe përbërës antioksidantë.

Të mirat…

Brokoli është konfirmuar si një nga ushqimet me veti të fuqishme antikanceroze. Në 20 vitet e fundit studime të shumta kanë konkluduar se njerëzit që konsumojnë sasi të konsiderueshme të brokolit kanë shfaqur më pak kancer të zorrës së trashë, gjoksit, qafës së mitrës, mushkërive, prostatit, esofagut, laringut dhe tëmthit. Disa nga përbërësit e brokolit luftojnë faktorë që nxisin zhvillimin e kancerit si dhe aktivizojnë enzima të qelizave të trupit tonë që luftojnë kancerin.

Brokoli është shumë i pasur në kalcium, hekur dhe magnez. Mbi të gjitha është shumë i pasur në vitaminë A dhe C, duke ia kaluar akoma edhe portokalleve në përqendrim të kësaj të fundit.

Brokoli përmban sasi të konsiderueshme të acidit folik, një vitaminë kjo e cila parandalon defekte në lindje, si dhe ofron mbrojtje për sistemin kardiovaskular.

Të këqijat…..

Rastet ku nuk rekomandohet konsumi i brokolit janë kur personat kanë diskomforte intestinale (diarre, inflamacion të zorrëve etj) ku rekomandohet një dietë e ulët në fibra bimore, si dhe rastet kur kemi nevojë që personi të shtojë në peshë. Në këtë të fundit brokoli rekomandohet në sasi të vogla dhe jo shumë shpesh pasi i pasur siç është në fibra bimore ai jep shpejt ndjesinë e ngopjes

Shoqërohet me…

Shkon shkëlqyeshëm si zarzavat i gjallë në pjatancat e miks zarzavatesh të freskëta të shoqëruara nga një salcë kosi ose salcë e një tipi tjetër.

S’ka gjë më të shijshme se sa brokoli në avull me limon dhe vaj ulliri ose pak gjalpë.

Vaj ulliri me pak hudhër te tiganisur në të do t’i jepte brokolit të zier në avull shumë shije, dhe pak parmezanë e grirë akoma më shumë.

Brokoli iu shtohet fare mirë gjellëve të tenxheres, makaronave, sallatave si dhe picës.

*Kur brokoli konsumohet se bashku me domate shumëfishohet efekti antikanceroz që ofrojnë të dyja këto zarzavateve!!

Sa shpesh ta konsumojmë…?

Sa më shpesh të konsumohet aq më mirë. Një racion rreth 150gr, 1 herë në 2-3 ditë do të ishte ideale, duke i lënë vend dhe zarzavateve të tjera në menunë tonë.

Receta:

Linguini me brokoli (gati për 20 min), 6 persona

Përbërësit:

•500gr makarona linguini

•500gr brokoli, të prerë në copa të vogla

•3 lugë të mëdha vaj ulliri

•1 lugë të madhe gjalpë

•3 hudhra të grira

•1 spec i kuq, i prerë hollë

•Kripë

•¼ kupë parmezane e grirë

Udhëzime:

•Zieni një enë të madhe me ujë të kripur. Hidhni makaronat dhe i gatuani për 8 -10 min ose derisa të bëhen al- dente. Thajini.

•Zieni brokolin me 2 lugë të mëdha ujë në mikrovale për 6-7min ose në një tigan derisa të humbasë fortësinë.

•Në një tigan të thellë nxehni vajin dhe gjalpin në temperaturë të ulët. Hidheni dhe hudhrën dhe specin, dhe përziejini ngadalë.

•Thani brokolin dhe hidheni në tigan. Hidhni kripën dhe mbajini në tigan derisa të zbuten brokoli dhe specat.

•Përziejini makaronat me përmbajtjen e tiganit dhe në fund hidhini parmezanën.