Shpërndaje
sea salt

Mënyra moderne e të ushqyerit, me ushqime të shpejta dhe vakte të ngrohura në mikrovalë, mund të jetë shkaku i rritjes së numrit të të prekurve nga sëmundje të sistemit imunitar si skleroza e shumëfishtë.

Kjo e fundit njihet si një ndër sëmundjet më të rënda të sistemit nervor dhe vjen për shkak të sulmit që sistemi imunitar kryen ndaj vetvetes gabimisht. Një studim i Universitetit të Yale-s në SHBA thotë se ushqimet me shumë kripë mund të jenë një ndër shkaqet e këtyre sëmundjeve. Autorët e studimit vëzhguan qelizën T, e cila ndihmon qelizat e tjera për të luftuar viruset patogjene si bakteret.

Studime të mëparshme kishin treguar se një grup qelizash, të njohura si Th17, luajnë një rol të madh në zhvillimin e sëmundjeve autoimune.

Në studimin e fundit u vu re se këto qeliza bëheshin agresive dhe shtoheshin në numër kur rritej konsumi i kripës. Testet laboratorike treguan se shtimi i sasisë së kripës e rriste nivelin e citokinës së lëshuar nga qelizat Th 17 me 10 herë. Citokinat janë proteina që mundësojnë kalimin e informacionit nga qeliza në qelizë. Autorët e studimit thonë se këto përfundime mund të çojnë drejt njohjes së sklerozës së shumëfishtë, e cila mbetet një ndër sëmundjet më të vështira për t’u diagnostikuar, me shkaqe të panjohura dhe pa kurë.

Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje që prek moshën më vitale të popullatës. Ajo prek moshat nga 18-50 vjeç, më shumë femrat. Ajo shfaqet kur sistemi imunitar fillon ta njohë si trup të huaj mielinën, një shtresë që mbështjell fibrat nervore në tru dhe shtyllën kurrizore. Dëmtimi i mielinës prish përcjelljen e mesazheve që truri i jep trupit, duke shkaktuar probleme me shikimin, të folurin dhe ecjen. Me kalimin e kohës, përparimi i sëmundjes mund të çojë në paaftësi për të lëvizur, për të folur apo dridhje të forta të trupit.

Sasia e lartë e kripës është lidhur gjithmonë me presionin e lartë të gjakut dhe për të shmangur rreziqet që vijnë prej saj, mjekët këshillojnë që një i rritur të konsumojë jo më shumë se 9-12 g në ditë.

Studimi i fundit që e lidh përdorimin e kripës me sëmundje të rënda si skleroza e shumëfishtë shpjegon numrin e madh të të prekurve sidomos në vendet super të zhvilluara. Por a është kjo arsyeja kryesore? Mesa duket rruga drejt “zbardhjes” së kësaj sëmundjeje të rëndë është e gjatë. / Përgatiti: Gazmira Sokoli – Gazeta Dita