Shpërndaje

Para disa ditësh, Bilbili i Këngës Nexhmije Pagarusha, i dërgoi një video mesazh këngëtares Aurela Gaçe me një thirrje të veçantë, shkruan KultPlus. Kjo thirrje ishte që Aurela të shkoj e ta takojë ikonën e muzikës shqipe, sepse, sipas saj, kur të bëhet më shumë kohë ndoshta do të jetë vonë.

“Për Aurelën time më të dashur që e kam. Shumë më ka marrë malli me të pa, edhe mos e le vonë, se bon vaki që bëhet shumë vonë për mem pa. Të lutem, se ti e di sa të dua dhe besoj që edhe ti njësoj ndihesh. Më ka marrë shumë malli dhe kur të shoh në televizion ndihem shumë e lumtur”, thotë Nexhmije Pagarusha në video mesazhin për Aurela Gaçen.

Kësisoj këngëtarja Gaçe, nuk vonoi shumë dhe këtë kërkesë të Nexhmije Pagarushës e bëri realitet në mbrëmjen e së hënës. Aurela Gaçe, mbrëmë takoi Nexhmije Pagarushën e padyshim që ky moment nuk duhej të lihej pa një kujtim siç është fotografia. Një fotografi, një takim e poashtu edhe një mbishkrim shumë i sinqertë u publikua në rrjetin social Facebook të Aurelës, e cila shkroi se pati fatin ta prekë sadopak njeriun që është përtej skenës.

“Kerkesa e legjendes u be realitet. Shkova sot … e perveç faktit qe eshte ikone ne skene e legjende e gjalle e jona mbare Shqiptare, une pata fatin ( jo vetem sot) te marr nga humori i saj aq i holle . Pata fatin te prek sadopak njeriun qe eshte pertej skenes…e di qe eshte pak , por une jam me fat qe e kam kete mundesi . Legjendat nuk lindin perdite. E ne jemi me fat qe akoma e kemi mes nesh e mund ti japim dashurine tone e mirenjohjen per çfare na ka dhene .. Fatmireshisht ajo e ndjen qe ne e Duam kaq shume. NEXHMIJE PAGARUSHA e paperseritshmja jone”, ka shkruar Aurela Gaçe.