Shpërndaje

Nuk duhet të vendosë frika

Sot, gratë e dinë seksin e fëmijës, e dinë se çfarë emri do t’i vënë, madje e dinë edhe datën e saktë se kur do të lindin. Këtë të fundit e dinë më mirë se gjithçka, sepse e vendosin vetë. Po po, vetë, madje duke e lidhur edhe me ngjarje të tjera familjare, si ditëlindja e saj, ditëlindja e partnerit apo ndonjë ngjarje tjetër të rëndësishme në jetë. Me pak fjalë, sot asgjë nuk i lihet rastësisë kur flasim për shtatzëninë, gjithçka është e planifikuar deri në detaje.

Shtatzënia dihet që është një periudhë plot me gëzim dhe emocione, por në të njëjtën kohë, ky moment special në jetën e një gruaje mund të shoqërohet nga pasiguri, frikë dhe dyshime, sidomos për nënat që e kanë lindjen e parë apo për ato që kanë pasur probleme në shtatzënitë e mëparshme.

Me operacion apo natyrale? Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë, kjo pyetje e ka prej kohësh një përgjigje, 15 për qind të lindjeve duhet të bëhen me operacion, përmes një ndërhyrje kirurgjikale me anestezi lokale. Për rrjedhojë, 85 për qind e fëmijëve duhet të vijnë në jetë në mënyrë natyrale. Po kjo shifër jo vetëm që nuk zbatohet, por në shumë vende të Europës, tendenca e lindjeve me operacion ka pushtuar të gjitha gratë. Janë të pakta ato që vendosin ta sjellin fëmijën në dritë përmes procesit natyror të lindjes. Me pak fjalë, është pak e këshillueshme kryerja e një lindjeje me operacion, nëse gruaja nuk ka asnjë problem serioz shëndetësor. Por nëse është frika e dhimbjes dhe dëshira për të vendosur vetë kohën e lindjes para kohe ajo që ju shtyn ta bëni, duhet të keni parasysh se periudha pas ndërhyrjes do të jetë më e vështirë krahasuar me atë pas një lindjeje natyrale. Shikojini të gjitha mundësitë para se të vendosni dhe mos harroni që një lindje natyrale është gjithmonë më e mira sa u përket benefiteve.

Frika, “dhimbja” më e madhe

Nga studimet e ndryshme ka dalë se gratë vendosin të zgjedhin lindje të parakohshme me operacion, pikërisht sepse duan të shmangin dhimbjet, lodhjen dhe sfilitjen me çdo kusht.

Shumica e tyre u frikësohen komplikimeve siç është plasja e ujërave, ngatërresat e foshnjës me kordonin, dhembjet për disa orë me radhë, ndërsa të tjerat besojnë se lindja me operim është më pak e dhimbshme për foshnjën. Por për mjekët e gjitha kjo është çështje mendore. Një nënë e vendosur e përballon më së miri një proces krejtësisht natyror.

Po nëse në shtatzëninë e parë keni pasur komplikime, si duhet të sillemi? Sa duhet pritur nga një shtatzëni në tjetrën, nëse në të parën kemi hasur vështirësi? Këto janë disa nga pyetjet më të shpeshta që turbullojnë mendjen e grave që presin të lindin. Por për t’i dhënë përgjigje dhe për t’u ndjerë më të sigurta, ja se çfarë këshillojnë specialistët më të mirë të fushës…

Lindje natyrale pas një operacioni

Bindja e zakonshme mes grave është se pas një lindjeje me operacion, edhe të tjerët që pasojnë duhet të jenë në të njëjtën mënyrë. Sipas mjekëve, kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Pas një operacioni, një lindje natyrale mund të bëhet shumë normalisht. Ka rreziqe të mëdha për të cilat gruaja duhet të informohet, por kjo përqindje është shumë e vogël dhe nuk duhet pasur asnjë lloj frike. Mbi të gjitha, mjekët këshillojnë që të zgjidhet një strukturë ku aplikohen lindjet natyrale pas një operacioni.

Një shtatzëni e re, pas një operacioni

Një tjetër pyetje është se kur duhet nisur një shtatzëni e re pas një lindjeje të komplikuar me operacion. Për mjekët nuk ka një kohë të saktë për të dhënë. Nëse problemet kanë qenë sipërfaqësore, infeksion plage apo gjëra të këtij lloji s’ka asnjë problem për një lindje të mëvonshme në mënyrë natyrale.

/gazeta-shqip/