Shpërndaje

Jimmy Weber, trajner i certifikuar i fitnesit për më shumë se 21 vite, thotë se nëse jeni duke kërkuar për ushtrime të cilat ju ndihmojnë të humbni peshë, atëherë asnjë ushtrim nuk është më i mirë sesa çiklizmi.

Por, çfarë e bën çiklizmin kaq të veçantë? Shkurtimisht, çiklizmi ju bën më të lumtur, thotë Jimmy Weber, transmeton Telegrafi.

Në fakt, ai i sjellë disa arsye që tregojnë se përse çiklizmi ndoshta është mënyra më e mirë për të humbur peshë:

Çiklizmi nuk ka të bëjë vetëm me ushtrime fizike

Hulumtimet janë shumë të drejtpërdrejta: shumica e njerëzve të cilët fillojnë të bëjnë ushtrime fizike vetëm se e dinë se duhet të bëjnë ushtrime, brenda një viti heqin dorë.

Kjo për shkak se mërziten dhe gjejnë gjëra më argëtuese për të bërë.

Megjithatë, shëtitja me biçikletë ju bën të ndiheni si fëmijë – mund të vizitoni dhe eksploroni vende të ndryshme, si dhe të mahniteni nga peizazhet e vendeve që ju rrethojnë. Pra, përveç se po ju pëlqen shëtitja, ju njëkohësisht jeni duke bërë edhe ushtrime fizike.

Çiklizmi nuk është i dëmshëm për nyejt

Çiklizmi aplikon presion të lehtë mbi nyejt tuaja, dhe shpeshherë edhe rekomandohet si ushtrim për njerëzit me artrit apo lëndime të nyejve.

Mund të bëni çiklizëm tërë ditën

Nëse shkoni për shëtitje me biçikletë, atëherë padyshim se do të jeni duke bërë ushtrime fizike tërë ditën dhe njëkohësisht duke djegur shumë kalori! /Telegrafi/