Shpërndaje

Për të gjithë ju që mendoni se kthimi në stinën e zymtë të vjeshtës do të jetë i mërzitshëm dhe pa jetë, kemi lajme të mira, tendencat e reja kanë menduar t’jua ëmbëlsojnë sezonin e ardhshëm me ngjyra dhe plot energji brenda tyre. E kemi fjalën për kthimin e nuancave të ngjyrave neon, të cilat do të na shoqërojnë gjatë vjeshtës e dimrit në palltot, xhaketat apo aksesorët tipik të dimrit.

Vajzat e famshme na kanë treguar se kombinimet e veshjeve me nuancat neon, janë një “must” i këtyre ditëve të fundit me diell. E gjitha nisi në skenën e Coachella-s në një veshje të krijuar nga Balmain në ngjyrë rozë neon të veshur nga Beyonce dhe që nga ky moment, asgjë nuk ishte më si më parë. Neoni erdhi në modë për të qëndruar me hijet e tij të rozës, të verdhës dhe jeshiles “lime”.

Një ndër eventet e verës, ditëlindja e Kylie Jenner na tregoi edhe një herë se veshjet neon kanë ardhur si tendencë e re dhe sfida nis pikërisht tani, në kompletimin e gardërobës së vjeshtës…

Nëse keni një lidhje të veçantë me modën, nuk duhet të surprizoheni nga lajmi që jeni duke lexuar… Koleksionet e vjeshtë-dimrit 2018-2019 na kanë paralajmëruar se ky trend do të vazhdojë dhe do të jetë kudo, që nga kostumet Moschino të frymëzuara nga vitet ’60, fustanet prej mushamaje ngjyrë lime nga Prada apo edhe ato nga Balmain.

Le ta mirëpresim sezonin e ri  duke i thënë një “po” të madhe kombinimeve të neonit e duke krijuar kështu veshjet që do na sjellin më afër, ngrohtësinë e ditëve me diell.

/revistaclass.al/